Vijojnë zjarret në Lezhë dhe Mirditë/ Situata më problematike në fshatin Tenë, vatra aktive edhe në malin e Kashnjetit

22/08/2026 09:53

Disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e qarkut Lezhë, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca dhe mjete për përballimin e situatës.

Sipas përditësimit të orës 08:00 të datës 22 gusht, në Bashkinë Kurbin nuk raportohen probleme.

Në Bashkinë Lezhë, zjarri i ardhur nga fshati Vrrith i Pukës vijon të jetë aktiv në malin e Kashnjetit, në drejtim të fshatrave Kashnjet dhe Kalivaç. Vatra po monitorohet nga 3 punonjës të shërbimit pyjor dhe 4 persona të njësisë administrative. Terreni i vështirë nuk mundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Ndërkohë, në Bashkinë Mirditë vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fshatin Tenë, në Njësinë Administrative Rrëshen. Prej orës 06:30 po punohet për vënien nën kontroll të flakëve, me forca të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor dhe struktura të bashkisë.

Vatra në fshatin Perlat i Epërm, në Njësinë Administrative Kthellë, vijon të jetë nën monitorim, ndërsa në fshatin Shtuf, në Njësinë Administrative Kaçinar, zjarri mbetet aktiv. Autoritetet bëjnë me dije se në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.

Sa i përket situatës në infrastrukturë, furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike vijon normalisht. Akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të kalueshme, ndërsa raportohet trafik i rënduar në qytetin e Lezhës dhe në aksin nacional Laç-Lezhë-Shkodër.

Niveli i lumenjve Drin dhe Mat vijon të jetë në nivele minimale.

Top Channel