Vatra e zjarrit në Gjegjan të Pukës ende aktive/ Situata më problematike në Gojan i Vogël, flakët i afrohen zonës së banuar

21/08/2026 14:01

Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive në Njësinë Administrative Gjegjan në Pukë, ku flakët kanë përfshirë dy fshatrat, Gojan i Madh dhe Gojan i Vogël.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani, situata paraqitet më problematike në fshatin Gojan i Vogël, ku flakët janë afruar pranë zonës së banuar.

Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, duke e vështirësuar situatën dhe ndërhyrjen për izolimin e flakëve.

“I kemi marr të gjitha masat. Dje situata në fshatin Gojan u vu nën kontroll, evakuuam disa familje. Sot jemi në Gojan të Vogël, është ndërhyrë që në mëngjes me dy helikopterë dhe situata është nën kontroll”, u shpreh kryetari i Bashkisë Pukë.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe po punojnë për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.

Top Channel