NATO thotë se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.

Një zyrtar i NATO-s pohoi për REL se KFOR-i po vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë, në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të avancojnë.

Deklarata vjen pasi KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale të pranisë së tij të përhershme nga ura, duke e lidhur këtë proces me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. NATO thotë se ky është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe se procesi mund të ndryshohet në varësi të zhvillimeve të sigurisë.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si lajm të mirë zvogëlimin gradual të pranisë së KFOR-it në urë. Ai ka bërë të ditur se do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës. Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në vitin 2024 hapjen e saj edhe për automjete, por kjo nismë shkaktoi reagime dhe shqetësime nga bashkësia ndërkombëtare. Për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic. Ai tha se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar që të ndalet zvogëlimi i pranisë së KFOR-it në urë. Vuçic pretendon se tërheqja e KFOR-it do të mund të rrezikonte sigurinë e serbëve në veri të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë përpjekjet politike për këtë çështje dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. NATO, saskaq, ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 dhe të sigurojë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet. Ura mbi Ibër mbetet një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës dhe prej vitesh konsiderohet simbol i ndarjes mes Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Top Channel