“Shqetësues fakti që zjarret janë shkaktuar nga dora e njeriut”, Ipeshkvi i Rrëshenit thirrje qytetarëve: Po rrezikohen jetë, mos ta dëmtojmë vetë natyrën

21/08/2026 17:59

Në lidhje me dy zjarret masive të ditës së sotme në bashkinë Mirditë, konkretisht në fshatrat Tenë dhe Kodër Rrëshen ka reaguar edhe Dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit.

Ipeshkvi shpreh se situata është shqetësuese, por thekson se më shqetësues është fakti se duket që në dy vatrat e zjarrit të ditës së sotme duket se është dora e njeriut ajo që i ka shkaktuar.

Me tej Meta i bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos e dëmtojnë natyrën.

“Duket që situata është mjaft shqetësuese, për arsye se është dhe nxehtë dhe era e shpërndan shumë zjarrin. Ajo që është më shqetësuese është që këtu duket që është dora e njeriut, kjo është më shqetësuese nga të gjitha. Fakti që njerëzit vendosin zjarrin, prishin pyjet, dëmtojnë jo vetëm natyrën, por rrezikojnë dhe jetët e njerëzve, të dëmtojnë edhe banesat e tyre dhe shtëpitë e tyre. Dhe kjo e bën shqetësues faktin shumë. U bënë tani disa ditë që jemi në një situatë alarmante për të gjitha Shqipërinë pothuajse, por ne flasim për zonën ku jemi. Ajo që unë kam nga vetja ime është një apel të gjitha njerëzve që të jemi të kujdesshëm, të mos e dëmtojmë vetë natyrën dhe ta ruajmë atë. Edhe sigurisht apel institucioneve që të përpiqen në maksimum sikurse po përpiqen faktikisht, që t’i shuajmë të gjitha vatrat e zjarrit. Këtu shikoj që njerëzit janë në këmbë të gjitha për të shuar zjarret dhe për garantuar jetën e njerëzve”, u shpreh Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.

Top Channel