Gjykata Supreme merr vendimin për Trumpin, lejon përkohësisht vijimin e ndërtimit të sallës së vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë
Gjermania kërkon të ekstradojë një të dyshuar nga Rumania për zbulimin e një depoje nëntokësore armësh në një pyll pranë Berlinit, të cilën mediat gjermane e kanë lidhur me inteligjencën ruse.
Dy javë pasi autoritetet gjermane gjetën një dron që mbante eksplozivë në aeroportin e Leipzigut, ministri i brendshëm, Alexander Dobrindt, konfirmoi se prokurorët federalë kishin hapur një hetim në lidhje me depon sekrete të armëve “me dyshimin për përgatitjen e një akti serioz dhune që kërcënon sigurinë kombëtare”.
“Ky rast tregon se po veprojmë nën një nivel të lartë kërcënimi”, u tha ai gazetarëve. Ashtu si me incidentin e Leipzigut, Dobrindt tha se nuk mund ta përjashtonte përfshirjen e “fuqive të huaja”.
Më parë, media lokale kishte raportuar se autoritetet gjermane kishin zbuluar dy pistoleta dhe municione rreth një vit më parë në një zonë të pyllëzuar jashtë kryeqytetit gjerman, pasi agjentët e shërbimit të inteligjencës vendase morën një informacion.
Zbulimi ka qenë në qendër të hetimeve të fshehta nga shërbimet e sigurisë shtetërore dhe të kundërspiunazhit, me dyshimin se inteligjenca ruse po komplotonte vrasje në tokën gjermane, sipas raporteve të ndara nga revista “Der Spiegel”.
“Në vend që t’i hiqnin armët, autoritetet gjermane i lanë ato në vend pasi i bënë të papërdorshme me shpresën se do të çonin në të dhëna gjatë një operacioni mbikëqyrjeje elektronike disamujor”, tha Dobrindt.
Ministri gjerman e përshkroi të dyshuarin në Rumani, kombësia e të cilit nuk u zbulua, si një “agjent të nivelit të ulët” dhe vuri në dukje se disa operativë të tjerë të tillë ishin ndaluar deri më tani këtë vit.
Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sabotim, përçarje ose kërcënim kundër shteteve anëtare të BE-së.
Top Channel