Zjarret në Europë, ekspertët: Do të shtohen me 39%, edhe në skenarin më të mirë

20/08/2026 12:05

Zjarret pyjore pritet të përfshijnë 39% më shumë territor të Europës deri në fundin e këtij shekulli, nëse nuk merren masa për menaxhimin më të mirë të tyre, e kjo sipas një studimi të fundit, do të ndodhë edhe në skenarin më optimist për ndalimin e ngrohjes së planetit.

I nxehtit ekstrem, dhe moti i thatë dhe me erë që i bën edhe zjarret më të vogla të kthehen në një ferr të furishëm flakësh, pritet të prekë një pjesë akoma edhe më të madhe të Europës. Në skenarin më të keq të modeluar nga studiuesit, ku ngrohja globale do të arrinte 3.6°C mbi nivelet paraindustriale, sipërfaqja e djegur do të pothuajse trefishohet.

Studimi zbuloi se përmirësimet në menaxhimin e zjarreve mund ta zbusin këtë rritje me më shumë se 70%, por nuk do të mund ta eliminojnë plotësisht. “Investimet në menaxhimin e zjarreve mund të ndihmojnë deri në një pikë, por nëse vazhdojmë në një rrugë me emetime të larta, përsëri do të shohim rritje të mëdha të sipërfaqes së djegur”, tha Maik Billing, studiues i ekosistemeve në Institutin e Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK) dhe autori kryesor i studimit.

“Menaxhimi i zjarreve nuk mund të zëvendësojë masat për frenimin e ndryshimeve klimatike.” Kërkimi vjen në një kohë kur zjarret vazhdojnë të shkatërrojnë pjesë të Evropës, me vatra të mëdha zjarri që kanë goditur vende të Evropës veriore si Britania e Madhe, Belgjika dhe Gjermania, pas disa javësh gjatë të cilave Franca, Spanja, Italia, Kroacia dhe Greqia u përballën me zjarre gjigante.

Në të gjithë BE-në, ky sezon zjarresh pritet të bëhet i treti më i keq i regjistruar, pas viteve 2025 dhe 2022, sipas të dhënave të publikuara sot nga Shërbimi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje. Deri tani janë djegur më shumë se 600,000 hektarë, ndërsa në Belgjikë, Francë dhe Sllovaki janë thyer rekordet për këtë periudhë të vitit.

Top Channel