Zelensky e shkarkoi pas skandalit të korrupsionit, vihet në pranga Iryna Mudra, zv. shefja e stafit të Presidentit
Këngëtarja kolumbiane Shakira bëri një vizitë surprizë në Quibdó, kryeqytetin e Chocó, një prej zonave më të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.4 të shkallës Rihter, që goditi Kolumbinë më 10 gusht dhe shkaktoi rreth 300 viktima, ndërsa qytete të tëra u shkatërruan.
Gjatë vizitës, Shakira, e shoqëruar nga Howard Buffett, djali i miliarderit Warren Buffett, njoftoi një plan për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti. Nisma është promovuar nga Fundación Pies Descalzos, fondacioni i krijuar nga këngëtarja, në bashkëpunim me Live Nation.
“Do t’i përkushtoj të gjitha përpjekjet e mia personale këtij projekti. Angazhimi im është konkret. Ne kemi mbledhur tashmë 1.25 milionë dollarë për të filluar këtë proces rindërtimi”, deklaroi Shakira.
Këngëtarja shprehu shqetësimin se, pas përfundimit të fazës së emergjencës, të mbijetuarit mund të mbeten pa mbështetjen e nevojshme.
“Nuk mund të lejojmë që fëmijët tanë të mos jenë në gjendje të kthehen në shkollë”, tha ajo, duke bërë thirrje për më shumë mbështetje për komunitetet e prekura në Chocó.
Shakira theksoi gjithashtu se Kolumbia i ka një “borxh historik” këtij rajoni, ndërsa në fund të vizitës shprehu ngushëllimet për familjet që humbën të afërmit e tyre nga tërmeti.
“Prindërve që kanë humbur fëmijët e tyre, u them se nuk kam fjalë për të shprehur atë që po përjetojnë. Dhimbja juaj nuk do të harrohet”, u shpreh këngëtarja.
Vizita e Shakirës vjen në një moment kur zonat e prekura nga tërmeti vijojnë të përballen me pasojat e katastrofës dhe nevojën për rindërtimin e infrastrukturës, veçanërisht të shkollave për fëmijët e prekur.
Top Channel