Lufta për territor në Hormuz/ Ulet kontrolli i Iranit mbi Ngushticë, SHBA-ja arrin të fitojë terren
Irani ka shqyrtuar mundësinë e sulmeve ndaj objektivave ushtarake amerikane në Europë, nëse presidenti Donald Trump vendos të përshkallëzojë luftën, sipas burimeve pranë regjimit iranian të cituara nga Financial Times.
Dy persona të afërt me regjimin kanë deklaruar se forcat iraniane kanë analizuar mundësinë e goditjes së objekteve amerikane në vendet e Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer nga avionët amerikanë të furnizimit me karburant.
Sipas njërit prej burimeve, Qiproja është gjithashtu në listën e objektivave të mundshëm në rast të një ofensive të re amerikane. Në mars, një bazë ajrore britanike në ishull u godit nga një dron.
Irani kërcënon të zgjerojë luftën përtej Lindjes së Mesme
Burimet kanë bërë të ditur gjithashtu se forcat iraniane kanë shqyrtuar mundësinë e sulmeve ndaj kabllove nëndetëse të fibrave optike në Ngushticën e Hormuzit, në rast të përshkallëzimit të konfliktit.
Në Teheran, sipas Financial Times, gjithnjë e më shumë zyrtarë e shohin rikthimin e luftës si një çështje kohe.

Negociatat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kanë ngecur, ndërsa Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ka emëruar së fundmi figura më radikale në poste të rëndësishme të sigurisë dhe ushtrisë.
Nga ana tjetër, Trump deklaroi të martën se aktualisht nuk ka “asnjë bisedë apo negociatë” të planifikuar me Teheranin.
Komandantët e Gardës Revolucionare Islamike kanë paralajmëruar se, në rast të një konflikti të ri në shkallë të gjerë, Irani mund të zgjerojë objektivat përtej bazave amerikane, impianteve energjetike dhe infrastrukturës në Lindjen e Mesme.
Muajin e kaluar, Garda Revolucionare paralajmëroi edhe Britaninë e Madhe, duke deklaruar se çdo bazë që përdoret për sulme ndaj territorit iranian do të konsiderohet “objektiv legjitim”.
“Irani mund të godasë edhe Europën”
Sidharth Kaushal, studiues në Royal United Services Institute, vlerëson se kërcënimi i raketave iraniane ndaj objektivave amerikane në Europë është real, por i kufizuar.
Irani mund të përdorë raketa balistike me rreze të mesme veprimi, përfshirë raketat e serisë Shahab, për të goditur objektiva në Europën Jugore dhe Juglindore. Megjithatë, sipas ekspertit, efektiviteti i tyre do të binte ndjeshëm në distanca më të mëdha.
Një prej burimeve pranë regjimit iranian tha se Teherani po përgatit një plan për zgjerimin e konfliktit nëse Trump realizon kërcënimet e mëparshme për të goditur infrastrukturën iraniane.
“Nëse SHBA-ja shkon shumë larg, Irani do të mbrohet me çdo çmim, do të shkojë përtej rajonit dhe do të godasë edhe Europën”, tha burimi.
Irani ka provuar më parë të godasë objektiva në distancë
Teherani ka demonstruar më parë se është i gatshëm të synojë objektiva shumë larg territorit të tij.
Pas nisjes së luftës nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt, Uashingtoni akuzoi Iranin se kishte lëshuar disa raketa drejt bazës së përbashkët amerikano-britanike Diego Garcia, në Oqeanin Indian, rreth 4 mijë kilometra larg Iranit. Asnjëra prej tyre nuk arriti objektivin.
Në mars, Turqia njoftoi se mbrojtja ajrore e NATO-s kishte interceptuar disa raketa balistike të lëshuara nga Irani. Po atë muaj, baza britanike Akrotiri në Qipro u godit nga një dron.

Zyrtarët perëndimorë dyshuan në atë kohë se droni ishte iranian, por ishte lëshuar nga grupe aleate të Teheranit në rajon dhe jo drejtpërdrejt nga Irani.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, një sulm iranian muajin e kaluar ndaj një baze amerikane në Jordani, ku humbën jetën tre ushtarakë amerikanë, ishte sulmi me rreze të gjatë më i saktë i kryer nga Irani dhe tregoi aftësinë e tij për të goditur objektiva në distanca të mëdha.
Ekspertët: Irani mund të përdorë grupet aleate
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se përdorimi i drejtpërdrejtë i raketave kundër objektivave europiane do të kishte rreziqe të mëdha për Iranin.
Douglas Barrie, nga International Institute for Strategic Studies, tha se sulmet e pretenduara ndaj Diego Garcias tregojnë se Irani disponon armë me rreze veprimi mbi 2 mijë kilometra.
Por ai theksoi se mbetet e paqartë se sa raketa të tilla ka në dispozicion Teherani dhe nëse do të ishte i gatshëm t’i përdorte ato vetëm për të dhënë një mesazh politik.
Ekspertët sugjerojnë se Irani mund ta konsiderojë më efektive përdorimin e grupeve aleate në rajon, përfshirë milicitë shiite në Irak, Hezbollahun në Liban dhe Houthit në Jemen.
Ndërkohë, brenda regjimit iranian ka edhe shqetësime se Teherani mund të jetë duke e shtyrë shumë larg konfrontimin me SHBA-në.
Emërimi i ish-komandantit të Gardës Revolucionare, Mohsen Rezaei, në postin e lartë të sigurisë është interpretuar nga analistët iranianë si një sinjal se krahu më i ashpër po fiton peshë, ndërsa perspektivat për një marrëveshje të qëndrueshme me Uashingtonin po zbehen.
“Mesazhi është: Mos u zemëro, sepse unë jam më i zemëruar se ti”, tha një prej burimeve të cituara nga Financial Times.
Top Channel