Protestuesit para Kryeministrisë për të 81-ën ditë, organizatorët kërkesë Delegacionit të BE-së në Shqipëri: Dërgoni vëzhgues të pavarur

19/08/2026 20:06

Vijon protesta në kryeqytet, duke shënuar sot ditën e 81.

Protestuesit sikurse tashmë e kanë kthyer në ‘itinerar’, janë grumbulluar fillimisht në sheshin Skënderbej, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, tubuesit kërkojnë largimin e klasës së vjetër politike dhe dorëheqjen e qeverisë.

Një qeveri teknike është alternativa që ata kërkojnë, ndërsa shprehen se shatori do të presë edhe më shumë protestues në shesh, pasi qytetarët kthehen nga pushimet dhe u bashkohen atyre që vijojnë të dalin në shesh.

Ndërkohë grupi koordinator i protestës i drejtohet Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe institucioneve të tjera evropiane e ndërkombëtare për dërgimin e vëzhguesve të pavarur në protesta, me qëllim dokumentimin dhe verifikimin e trajtimit të protestuesve nga autoritetet, raporton gazetarja e Top News, Kleida Muka.

Top Channel