Kriza politike në Ukrainë/ Dikur aleat me Zelenskyn, sot e sfidon, ish-Ministri i Mbrojtjes: Duhen zgjedhje, edhe në mes të luftës

19/08/2026 22:50

Kriza politike në Ukrainë po intensifikohet, teksa Presidenti Volodymyr Zelensky po vihet nën presion, ndërsa ish-Ministri i Mbrojtjes Mykhailo Fedorov bën thirrje për zgjedhje presidenciale në mes të luftës.

Kjo thirrje vjen pasi autoritetet antikorrupsion po hetojnë një rast që dyshohet se përfshin ligjvënës dhe zyrtarë të lartë presidencialë.

Fedorov, një ish-aleat i ngushtë i Zelensky-t dhe një nga politikanët më të njohur në vend, bëri thirrje të martën për rivendosjen e një “ procesi demokratik plotësisht funksional ” edhe në kushtet e një lufte të zgjatur.

“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia. Ne po luftojmë pikërisht sepse duam të mbetemi një shtet i lirë evropian”, tha ai në një mesazh video nëntë minutësh.

Kjo është sfida më e drejtpërdrejtë politike ndaj Zelensky-t që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022. Fedorov argumentoi se Ukraina po përballet me një “ krizë sistemike të qeverisjes” dhe kritikoi korrupsionin e kohës së luftës, por nuk bëri akuza specifike kundër presidentit apo zyrtarëve të tjerë.

Polemika ka fituar peshë të veçantë pas shkarkimit të fundit të Fedorov nga Ministria e Mbrojtjes. 35-vjeçari, i cili kishte shërbyer edhe si Ministër i Transformimit Dixhital dhe ishte një mbështetës kryesor i përdorimit të dronëve në luftë, mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes në janar. Nën udhëheqjen e tij, përdorimi i të dhënave, statistikave dhe sistemeve të automatizuara në planifikimin e operacioneve ushtarake u promovua më tej.

Megjithatë, popullariteti i tij në rritje e solli atë në konflikt me udhëheqësit e lartë ushtarakë, përfshirë shefin e atëhershëm të forcave të armatosura, gjeneralin Oleksandr Shirsky, dhe figura të fuqishme në industrinë e mbrojtjes, ndërsa ai përpiqej të reformonte sistemin e prokurimit dhe të luftonte korrupsionin . Zelensky e shkarkoi atë më 15 korrik, vetëm gjashtë muaj pasi mori detyrën.

Shkarkimi i Fedorov shkaktoi demonstrata të rralla, për periudhën e luftës, në Kiev dhe qytete të tjera, kryesisht midis ukrainasve të rinj. Protestat vazhduan, teksa protestuesit kërkonin kthimin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes dhe shkarkimin e Shirskit. Edhe një muaj pas shkarkimit të tij, mijëra njerëz morën pjesë në një demonstratë në Kiev, duke brohoritur slogane të tilla si “Populli është pushteti” dhe ” Korrupsioni vret”.

Aktivistët brohorasin slogane gjatë një tubimi proteste që dënon vendimin e Presidentit Volodymyr Zelensky për të shkarkuar Ministrin e Mbrojtjes Mykhailo Fedorov.

Fedorov, ndryshe nga kundërshtarët e tjerë të mundshëm politikë të Zelensky-t, refuzoi të merrte një pozicion tjetër qeveritar pas shkarkimit të tij, duke deklaruar se do të pranonte vetëm rikthimin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase kundër korrupsionit po i shtojnë hetimet e tyre. NABU dhe SAPO njoftuan se kishin hapur një hetim ndaj ligjvënësve dhe “zyrtarëve të lartë” të paidentifikuar në zyrën e Zelensky-t, pa dhënë detaje të mëtejshme. Njoftimi erdhi disa orë para një votimi vendimtar në parlament për emërimin e Ministrit të ri të Mbrojtjes, Yevgeny Khmara.

Ndërkohë, Zelensky shkarkoi të mërkurën zëvendëskryetaren e administratës presidenciale, Iryna Mudra, sipas një dekreti të publikuar në faqen zyrtare të internetit të presidencës ukrainase. Nuk u dha asnjë arsye për shkarkimin e saj dhe nuk ka konfirmim zyrtar se vendimi lidhet me rastin e korrupsionit. Kjo e fundit u arrestua më pas.

Më herët gjatë ditës, autoritetet antikorrupsion njoftuan se kishin zbuluar një grup që dyshohet se ishte i përfshirë në pastrim parash, ku ata thanë se përfshihej edhe një zyrtar i lartë presidencial.

Presioni politik mbi Zelenskyn po intensifikohet në shumë fronte, pasi diskutimi për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë kohës së luftës përkon me protesta, mosmarrëveshje të brendshme dhe hetime të reja për korrupsion që prekin rrethin e brendshëm të presidencës. Pavarësisht thashethemeve për zgjedhje këtë vit, deri më tani nuk ka pasur ndonjë zhvillim konkret në këtë drejtim.

Top Channel