Dyshohet se mori pjesë në sabotimin e tubacionit të naftës Nord Stream, arrestohet në Kroaci një shtetas ukrainas

19/08/2026 19:24

Një burrë është arrestuar në Kroaci me dyshimin për përfshirje në bombardimin e tubacioneve të gazit Nord Stream në shtator 2022.

Autoritetet gjermane pretendojnë se i dyshuari ishte një nga zhytësit që vendosën eksplozivë në tubacione në shtator 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ai është i dyti që arrestohet në lidhje me rastin, i cili ka tensionuar marrëdhëniet midis Kievit dhe Berlinit, i cili mbetet një mbështetës kyç i përpjekjeve të luftës ukrainase.

Prokurorët gjermanë tani po kërkojnë ekstradimin e të dyshuarit nga Kroacia.

Ata thanë se ai është një zhytës i trajnuar me emrin Vladimir. Megjithatë, BBC shkruan, se ai është Volodymyr Zhuravlyov, i cili u arrestua në Poloni në vitin 2025 për të njëjtën çështje.

Në atë rast, një gjyqtar polak hodhi poshtë kërkesën gjermne për ekstradim, duke argumentuar se nëse Ukraina ishte përgjegjëse për sulmin, atëherë ishte një “akt i drejtë”. Zhuravlyov u lirua më vonë, duke shkaktuar një valë habie në audiencë. Ai reagoi me një buzëqeshje.

I dyshuari tjetër në këtë rast është ish-ushtari ukrainas Sergei Kuznetsov. Ai u arrestua në Itali në gusht 2025 dhe më vonë u ekstradua në Gjermani, ku do të dalë në gjyq. Ai ka mohuar përgjegjësinë për shpërthimet. Ai u paraqit në gjykatë në Hamburg në qershor.

Prokurorët pretendojnë se Kuznetsov udhëhoqi një ekip që përdori një jaht të marrë me qira në Rostock të Gjermanisë, për të vendosur eksplozivë në tubacionet pranë ishullit danez Bornholm në Detin Baltik.

Vetëm Nord Stream 1 ishte funksional në atë kohë, pasi Nord Stream 2 nuk ishte vënë ende në punë, megjithëse ishte pothuajse i përfunduar.

Kievi ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në këtë çështje.

Top Channel