Dyshohet se ishin vjedhur në Gjermani/ Sekuestrohen 3 makina luksoze me vlerë 450 mijë euro, procedohen penalisht tre persona në Tiranë

19/08/2026 12:34

Tre automjete luksoze, me vlerë totale rreth 450 mijë euro, të dyshuara të vjedhura në Gjermani, janë sekuestruar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Stolen line”.

Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë tre persona që u konstatuan duke drejtuar automjetet, ndërsa dy të rinj, të dyshuar si trafikuesit e tyre në Shqipëri, janë shpallur në kërkim.

Mes automjeteve të sekuestruara janë një “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, një “Mercedes Benz GT 63 AMG” dhe një “Mercedes Benz S-Class 580e”.

Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Stolen line”, kundër trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit.

Sekuestrohen 3 automjete luksoze, me vlerë totale rreth 450 000 euro, të dyshuara të vjedhura në Gjermani.

Procedohen penalisht 3 shtetas, të cilët i drejtonin automjetet në momentin e konstatimit.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, të dyshuar se kanë trafikuar automjetet në Shqipëri.

Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.

Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestruan 3 automjete luksoze, konkretisht 1 automjet tip “Mercedes Benz G-Class 63 AMG”, me vlerë rreth 200 000 euro, 1 automjet tip “Mercedes Benz GT 63 AMG”, me vlerë rreth 150 000 euro, dhe 1 automjet tip “Mercedes Benz S-Class 580e”, me vlerë rreth 100 000 euro.

Në lidhje me këtë rast u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit F. D., 24 vjeç, dhe K. V., 22 vjeç, të dyshuar se kanë trafikuar në Shqipëri automjetet, me qëllim shitjen e tyre.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. H., 41 vjeç, S. U., 27 vjeç, dhe K. B., 39 vjeç, të cilët u konstatuan duke drejtuar automjetet në momentin e sekuestrimit të tyre.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Top Channel