Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar pasditen e së martës për të diskutuar për një president konsensual.

Pas takimit, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se kanë biseduar mbi kriteret që duhet të ketë presidenti i ri, raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami.

“Ky takim ishte ekskluzivisht për figurën presidenciale. Edhe një herë po e theksoj, kriteret, parimet, rrethanat në të cilat ndodhemi dhe çfarë figurash me cilat vlera kontribuese dhe merita”, tha Kurti.

Kurti ishte i rezervuar kur u pyet se a kanë diskutuar për emra specifikë për president, duke thënë që së pari duhet të bisedojë me partinë e tij.

“Në këtë fazë nuk mund të them më shumë se kaq dhe me gjithë respektin për secilin dhe secilën prej jush nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili rreth një javë më parë u tërhoq nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë partisë së tij, tha se tash kërkojnë vetëm stabilitet institucional.

Ai shtoi se për emra konkretë do të diskutohet në takimin e radhës.

“U dakorduam të vijmë me emra konkret në takimet e ardhshme, por që në fund të ketë një emër, sepse president nuk mund të ketë disa. Meqë po flitet për emra, atëherë duhet të ketë konsultime të brendshme, jo vendime, sepse vendimi duhet të merret pasi të ketë dakordim politik”, tha ai.

Krerët e Vetëvendosjes dhe LDK-së njoftuan se do të takohen me kryesitë e partive të tyre e më pas do të takohen përsëri.

Afati kushtetues për konstituimin e kuvendit ka përfunduar më 7 gusht duke ngecur në këtë fazë formimi i institucioneve.

Ndërkohë që partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për të siguruar numrin prej 80 deputetësh në sallë për zgjedhjen e presidentit të ri.

Top Channel