Një javë pas tërmetit tragjik, Kolumbia numëron 289 viktima dhe 9.57 miliardë dollarë dëme
Shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos mbetet “jashtë kontrollit”, paralajmëroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke ngritur shqetësimin për një përhapje të mëtejshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Tre muaj më parë, shpalla shpërthimin e llojit Budibugio të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar. Që atëherë, shpërthimi është përhapur me shpejtësi dhe rreziku i përhapjes së mëtejshme kombëtare dhe ndërkombëtare mbetet i lartë”, deklaroi Tedros në hapje të takimit të Komitetit të Emergjencave për Ebolën.
Sipas bilancit të fundit të publikuar nga autoritetet e Republikës Demokratike të Kongos, rreth 5,000 persona janë infektuar dhe më shumë se 2,300 kanë humbur jetën në gjashtë provinca dhe 55 zona shëndetësore.
“Le të jemi të sinqertë: epidemia mbetet e pakontrolluar”, tha kreu i OBSH-së.
Republika Demokratike e Kongos shpalli më 15 maj, pas një vonese prej disa javësh, epideminë e 17-të të Ebolës në vend. Shpërthimi është përqendruar në rajonet veriore dhe lindore, ku prania e shtetit është e dobët, infrastruktura shëndetësore është e pamjaftueshme dhe kapacitetet e reagimit janë të mbingarkuara nga rritja e rasteve.
Kjo është hera e dytë që Komiteti i Emergjencave i OBSH-së mblidhet që prej shpalljes së Emergjencës së Shëndetit Publik me Shqetësim Ndërkombëtar (PHEIC) më 17 maj.
OBSH ende nuk ka bërë të ditur se kur Komiteti do të publikojë rekomandimet e tij. Megjithatë, konsiderohet e pamundur që ekspertët të rekomandojnë heqjen e alarmit, ndërsa mund të propozojnë masa të reja dhe të ndryshojnë nivelin e rrezikut.
Aktualisht, OBSH e vlerëson rrezikun për shëndetin publik si “shumë të lartë” në Republikën Demokratike të Kongos, “të lartë” në Ugandë dhe vendet e tjera kufitare me Kongon, ndërsa për pjesën tjetër të Afrikës dhe botën rreziku konsiderohet “i ulët”.
Top Channel