Zjarri me katër të plagosur në skafin në Porto Palermo, dyshohet se benzina mori flakë nga një cigare që një prej të lënduarve po konsumonte

17/08/2026 21:05

Katër persona kanë mbetur të dëmtuar pas një zjarri që përfshiu një skaf në Porto Palermo, Himarë, teksa po kryenin punime për riparimin e motorit.

Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, në breg të detit, ku katër personat po punonin në pjesën e motorit të skafit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se njëri prej tyre po konsumonte një cigare në momentin kur benzina e pranishme pranë motorit dhe në serbator mori flakë.

Flakët janë përhapur menjëherë, duke bërë që të katër personat të pësonin djegie. Ata kanë mundur të hidhen në det për t’i shpëtuar flakëve.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, njëri prej të dëmtuarve ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër raportohet se ka marrë djegie edhe më të shumta.

Fillimisht, të katër të dëmtuarit janë transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Himarës. Më pas, për shkak të gjendjes së tyre, ata po transportohen drejt Vlorës dhe pritet të dërgohen më tej në Tiranë, për trajtim të specializuar.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po kryen verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit.

Dyshimi paraprak është se prania e një burimi zjarri, konkretisht cigarja që po konsumonte njëri prej personave, mund të ketë shkaktuar ndezjen e benzinës, por shkaqet e sakta të ngjarjes pritet të përcaktohen pas hetimeve.

Top Channel