Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër në drejtim të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, për thirrjen e vazhdimit të seancës për të martën në orën 11:00.
Partia më e madhe opozitare thotë se roli i Deharit nuk është politik, por procedural. Paraditen e së hënës, PDK-ja ka vazhduar me aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, të shkojë në Kuvend dhe të formojë institucionet.
“Z. Kurti duhet që ta kuptojë se, në vend që të sabotojë Kuvendin, të vijë aty, të krijojë mundësi për ta konstituar Kuvendin. Ai është qëllimi parësor dhe puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit”, tha deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
Krahas PDK-së, edhe Aleanca ka vazhduar me veprime, siç thanë ata, “për parandalimin e shfrytëzimit të shtetit për nevoja të partisë”.
Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë për 18 vendime të javës së shkuar.
“Nuk guxon asnjë qeveri, por as kjo që nuk ka legjitimitet, të kthejë administratën e shtetit në funksion të një partie. Kemi thënë që si Aleancë nuk do të lejojmë të kemi një parti shtet dhe po themi që kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë”, tha deputeti Besnik Tahiri.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar më 7 gusht në mesnatë. Parlamenti mbetet i pakonstituuar, meqë Vetëvendosje nuk propozon kandidatin për kryetar Kuvendi, këtë refuzon ta bëjë deri në arritjen e një marrëveshjeje politike.
Për të dalë nga kriza, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar në një takim të përbashkët liderët e partive politike në Kosovë, që pritet të mbahet të martën. PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar.
Top Channel