Negociatat me Iranin/ Trump kërcënon Omanin: Nëse pengoni bisedimet, do ju bombardojmë

17/08/2026 16:49

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë Omanin nëse ky vend “pengon” bisedimet e drejtpërdrejta të Uashingtonit me Iranin, raporton Fox News.

Sipas gazetarit të televizionit amerikan, Trump e bëri deklaratën gjatë një telefonate të hënën, ku pretendoi gjithashtu se SHBA-ja ka një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Megjithatë, IRGC ka mohuar se po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara. “Nëse Omani pengon, do ta bombardojmë”, citohet të ketë thënë Trump gjatë telefonatës.

Irani mohon bisedimet me SHBA-në

Një zëdhënës i IRGC-së mohoi pretendimin e presidentit amerikan për negociata të fshehta mes palëve. “Nuk po zhvillohen bisedime mes zyrtarëve të IRGC-së dhe amerikanëve”, tha zëdhënësi për agjencinë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, duke e cilësuar deklaratën e Trumpit si një “gënjeshtër”.

Ndërkohë, zyrtarët iranianë kanë deklaruar se janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje për lëvizjen e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha të hënën se palët kanë arritur një mirëkuptim për itinerarin e tranzitit dhe se detajet përfundimtare do të përcaktohen përpara publikimit të një deklarate të përbashkët.

Omani, ndërmjetës mes palëve

Omani, i cili e ka cilësuar veten si një vend neutral në këtë konflikt, po luan tashmë një rol në negociatat me Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Që prej sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit në shkurt, Teherani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen në këtë rrugë ujore strategjike, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Rihapja e ngushticës është kthyer në një nga çështjet kryesore të negociatave.

Sipas Reuters, duke cituar një zyrtar iranian, Teherani ka kërkuar tarifa prej 5% deri në 7% të vlerës së ngarkesave nga anijet që kalojnë përmes ngushticës.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi kishte deklaruar më herët se rihapja e plotë e ngushticës do të varej nga kompensimi që Irani kërkon nga SHBA-ja për ato që Teherani i konsideron shkelje të marrëveshjes së mirëkuptimit.

Trump: “Nuk jam me nxitim”

Gjatë telefonatës me Fox News, Trump tha se nuk ka një afat kohor për përfundimin e konfliktit.

“Janë lojtarë të mirë pokeri, por po vdesin. Nuk kam një afat. Nuk jam me nxitim”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan.

Trump theksoi gjithashtu se zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, që do të zhvillohen në nëntor, “nuk kanë asnjë lidhje” me mënyrën se si po e trajton konfliktin.

Ai hodhi poshtë gjithashtu shqetësimet për pakësimin e rezervave amerikane të armëve, duke thënë se ajo që SHBA-ja ka përdorur deri tani është “asgjë” në krahasim me kapacitetet e saj.

Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar më 18 qershor, synonte vendosjen e një armëpushimi të përhershëm mes palëve. Megjithatë, armëpushimi i përkohshëm u shemb pak kohë më vonë, pasi SHBA-ja dhe Irani rifilluan shkëmbimin e sulmeve.

Më 8 korrik, Trump deklaroi se armëpushimi ishte “i përfunduar”.

Ndërsa memorandumi 60-ditor po arrinte skadimin të hënën, Trump shkroi në rrjetin e tij Truth Social se objektivi kryesor i SHBA-së “ka qenë dhe do të jetë gjithmonë” që Irani të mos ketë, në asnjë mënyrë, një armë bërthamore.

Top Channel