Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje”.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Natasha Mulaj, pas kërkesës së mbrojtjes së Bashllarit, të përfaqësuar nga avokati Sokol Tahiraj.
Bashllari ishte arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) nën dyshimet për shpërdorim detyre, në lidhje me ndërtimet pa leje në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.
Ish-shefi i Komisariatit të Sarandës u arrestua së bashku me tre inspektorë të tjerë të Policisë së Sarandës, në kuadër të hetimeve për ndërtimin pa leje të një beach bari, i cili u shemb nga IKMT më 18 maj 2026.
Më 19 maj, Gjykata e Sarandës caktoi masën “arrest në burg” për Gëzim Bashllarin dhe Robert Cullajn, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron vendosi masën “arrest në shtëpi”.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimi, strukturat policore kishin lejuar ndërtimin pa leje të beach barit, ndërsa rasti po hetohet edhe në kuadër të dyshimeve për marrje ryshfeti.
Në lidhje me të njëjtën çështje, ishte pezulluar nga detyra edhe shefi i Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu.
Me vendimin e Apelit, Bashllari nuk do të qëndrojë më në qeli, por do të jetë i detyruar të paraqitet periodikisht pranë autoriteteve, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.
Top Channel