Qeni antidrogë zbulon kanabisin në çantën e të riut në doganën e Qafë-Botës, policia arreston 29-vjeçarin dhe mikun e tij
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar sot ndaj akuzave të ardhura nga Partia Demokratike lidhur me atë që opozita e quan monopolizim të tregut audioviziv përmes kërkesave për rritje të çmimeve dhe ndërprerje të sinjalit për operatorët kabllorë.
Në një deklaratë për mediat, AMA tha se përkundër pretendimit të PD-së se 65 operatorë kabllorë po përballen me ndryshime të kushteve kontraktuale, në fakt vetëm pesë prej tyre nuk i kanë arritur ende marrëveshjet me Digitalb dhe Tring.
“Faktet duhen lexuar në tërësinë e tyre, jo të përdoren në mënyrë selektive. Faktet flasin më shumë se deklaratat: Në Shqipëri janë 84 subjekte të autorizuara nga AMA për përsëritjen e shërbimeve audiovizive. Vetëm 5 prej tyre nuk kanë arritur ende marrëveshje tregtare me DigitAlb dhe Tring për të drejtat përkatëse të transmetimit. Ky tregues nuk provon as mosveprim institucional dhe as kufizim të konkurrencës. Përkundrazi, rrethanat konkrete tregojnë një realitet që nuk mund të anashkalohet: 3 nga këto 5 subjekte janë konstatuar dhe gjobitur nga AMA për pirateri televizive, ndërsa një prej tyre administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, thuhet në deklaratën e AMA-s.
Pretendimeve të opozitës, që përmes komunikimit publik, reagoi si aksionere e ndonjë prej televizioneve kabllore dhe jo në funksion të interesave publike, AMA iu përgjigj duke vënë theksin te fakti se “Mbrojtja e konkurrencës nuk mund të përdoret si argument për të relativizuar piraterinë”.
“AMA e ka trajtuar dhe vijon ta trajtojë këtë çështje brenda përgjegjësive të saj ligjore. Nga faktet e administruara deri tani nuk rezultojnë elemente që të provojnë se mosrealizimi i këtyre pesë marrëveshjeve përbën kufizim të konkurrencës apo që të përligjin akuzën për mosveprim të AMA-s. Asnjë subjekt nuk mund të kërkojë mbrojtjen e ligjit duke anashkaluar shkeljet e veta. Nga komunikimet e vijueshme me bartësit e të drejtave Digitalb e Tring, AMA është vënë në dijeni për zgjatjen e afatit të marrëveshjeve tregtare me subjektet ripërsëritës deri në 31 Korrik 2026. Sipas informacioneve të përcjella në institucion nga bartësit e të drejtave (Digitalb dhe Tring) na është bërë e ditur arritja e dakordësisë me 79 subjekte”, thuhet më tej në reagimin e AMA-s.
Në debatin mbi tregun e mediave audiovizive, ka edhe një element që humbet “rrugës” kur flitet për përqindjet, kontratat dhe operatore dhe ai është pikërisht produkti që në fund merr qytetari.
Konkurrenca nuk matet vetëm me numrin e kompanive që shpërndajnë një sinjal. Për konsumatorin ajo matet edhe me zgjedhjen, cilësinë, teknologjinë, sigurinë e shërbimit dhe përmbajtjen që merr në këmbim të pagesës.
Një ndeshje e madhe, një film, një serial, një kanal për fëmijë apo një produksion shqiptar nuk shfaqet në ekran rastësisht. Pas tij ka të drejta transmetimi, investim, teknologji dhe njerëz që e prodhojnë apo e sjellin ligjërisht tek publiku.
Opozita, përpara se të pyesë se sa fiton distributori apo sa fiton furnizuesi, duhet të pyesë edhe çfarë fiton abonenti.
Sot qytetari shqiptar mund të zgjedhë shërbime televizive me pagesë si DigitAlb dhe Tring, krahas kanaleve kombëtare pa pagesë dhe alternativave të tjera të ligjshme të konsumit audioviziv.
Kjo është zgjedhja që duhet mbrojtur dhe jo një kompani nga një kompani tjetër.
Por një treg ku investimi në përmbajtje shpërblehet, pirateria nuk normalizohet dhe qytetari zgjedh vetë se cilin produkt dëshiron të paguajë.
Kjo sepse në fund, konkurrenca më e mirë nuk behet me deklarata, por duke i dhënë publikut një produkt për të cilin ia vlen të paguajë.
Top Channel