Agronomët, profesion me urdhër/ Projektligji: Specialistët e bujqësisë do të licencohen nga Urdhri i Agronomit

17/08/2026 12:13

Deri më tani agronomët e kanë ushtruar profesionin e tyre vetëm me diplomën e UBT. Por ky dokument i vetëm nuk do të jetë i mjaftueshëm, që specialistët e tokës dhe bimës të ushtrojnë profesionin e tyre do t’ju duhet të anëtarësohen pranë entit publik Urdhrit të Agronomit, kjo do të ndodhë nëse parlamenti jep dritën jeshile për projektligjin “Urdhri i Agronomit në Republikën e Shqipërisë”, i cili prej muajit qershor është hedhur për konsultim publik.

Në relacion thuhet synimi i këtij urdhri janë rregullimi i profesionit të agronomit.

Ligji për Urdhrin e Agronomit ndodhet në fazën që do të kalojë në qeveri, më pas do të ndjekë rrugën në komisione e në fund në parlament. Për agronomët përfshirja e profesioneve të rregulluara me një ligj të veçantë ka shumë rëndësi sepse do të thotë që profesioni merr një status të qartë ligjor”, shprehet Arjan Japullari, zv./ministër bujqësie.

Formimi i urdhrit është parashikuar të mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit afërsisht me 42 mln lekë vetëm për vitin e parë. Pas kësaj periudhe urdhri duhet t’i garantojë vetë të ardhurat nga tarifat e licencave dhe trajnimet. Sipas ministrisë së bujqësisë rregullimi i profesionit të agronomit do të ulë numrin e abuzimeve.

Raportet e ISHP dhe inspektorateve bujqësore dokumentojnë raste të qarta keqpërdorimi të pesticideve. Kjo ka sjellë që produktet ushqimore të rezultojnë me ngarkesë kimike mbi kufijtë e lejueshëm të BE-së, duke shkaktuar kthim mallrash dhe humbje eksporti.

Ndërkohë një raport i FAO-s cilëson se sugjerimet e gabuara kanë kontaminuar tokën bujqësore.

Sipas të dhënave të FAO-s (2022), mbi 35% e tokave bujqësore në Shqipëri shfaqin shenja degradimi, ku ndërhyrjet e pasakta agronomike janë faktor kontribues i rëndësishëm.

zv./ministri i bujqësisë Arjan Japullari, thotë se Urdhri i Agronomit së pari do të ndihmojë fermerët që të marrin më të mirën prej tokës së tyre.

Ky agronom do të ketë më shumë dinjitet profesional, por edhe fermeri do të ketë një shërbim më cilësor dhe të kualifikuar që kjo të përkthehet në një bujqësi më me profesionalizëm dhe me produkte më të sigurta për konsumatorin shqiptar“, shton zv/ministri i Bujqësisë.

Nëse ky urdhër miratohet, edhe agronomët do të drejtohen nga një president i cili do të jetë drejtuesi i këtij institucioni.

Top Channel