Zjarr në një tjetër biznes në Jug/ Flakët shkrumbojnë resortin në rrugën Sarandë-Syri i Kaltër, dëme të mëdha materiale

16/08/2026 10:34

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mëngjesin e sotëm resortin Mesopotam Agroturizëm, në rrugën Sarandë-Syri i Kaltër.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 05:30 të mëngjesit të kësaj të diele.

Flakët janë përhapur në ambientet e resortit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke e djegur plotësisht pjesën e restorantit. Fatmirësisht, zonat akomoduese nuk janë prekur nga flakët.

Për momentin nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Pritet që hetimet dhe verifikimet në vendngjarje të përcaktojnë se çfarë ka shkaktuar flakët.

Mesopotam Agroturizëm konsiderohej një prej investimeve më të rëndësishme turistike të realizuara vitet e fundit në zonën e Mesopotamit. Resorti është ndërtuar rreth tri vite më parë dhe ishte kthyer në një pikë të njohur përgjatë rrugës që lidh Sarandën me Syrin e Kaltër.

Zjarri i mëngjesit të sotëm ka lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Top Channel