Zjarr në një tjetër biznes në jug/ Flakët shkrumbojnë resortin në rrugën Sarandë-Syri i Kaltër, dëme të mëdha materiale

16/08/2026 10:34

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mëngjesin e sotëm resortin Mesopotam Agroturizëm, në rrugën Sarandë-Syri i Kaltër, duke e shkrumbuar tërësisht.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 05:30 të mëngjesit të kësaj të diele. Flakët janë përhapur në ambientet e resortit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke e djegur plotësisht strukturën.

Për momentin nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Pritet që hetimet dhe verifikimet në vendngjarje të përcaktojnë se çfarë ka shkaktuar flakët.

Mesopotam Agroturizëm konsiderohej një prej investimeve më të rëndësishme turistike të realizuara vitet e fundit në zonën e Mesopotamit. Resorti ishte ndërtuar rreth tre vite më parë dhe ishte kthyer në një pikë të njohur përgjatë rrugës që lidh Sarandën me Syrin e Kaltër.

Zjarri i mëngjesit të sotëm ka lënë pas dëme të mëdha materiale, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Top Channel