Aksident në qendër të qytetit të Sarandës, motori përfundon poshtë një automjeti
Në kuadër të operacioneve policore të koduara “Aksi” dhe “Hidden Guns”, të finalizuara në Fier dhe Mallakastër, janë arrestuar Miklejin Monce, Flavio Bregu dhe Ilir Sinaj.
Gjatë operacioneve, shërbimet e Policisë sekuestruan dy armë zjarri dhe një armë gjahu, ndërsa të arrestuarit dyshohen për vepra penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe kanosjen me armë.
“DVP FIER/ Kontrolle intensive për goditjen e armëmbajtjes pa leje. Brenda 24 orëve, finalizohen 2 operacione policore në Fier dhe Mallakastër. Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe 1 armë gjahu. Vihen në pranga 3 shtetas.
Në vijim të kontrolleve të intensifikuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur me armë zjarri në automjet, finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Bypass-in e Fierit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 19-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, tip pistoletë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua edhe shtetasi F. B., 28 vjeç, banues në Vlorë, pasagjer në automjet, pasi dyshohet se kishte dijeni se shoku i tij, shtetasi M. M., posedonte armën e zjarrit dhe do ta shiste në Fier.
Ndërkohë, në Mallakastër, u finalizua operacioni policor i koduar “Hidden Guns”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi I. S., 38 vjeç, banues në fshatin Lofkënd, Mallakastër.
Ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu një shtetas tjetër. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës, arrestimin e autorit të dyshuar dhe sekuestrimin e një arme zjarri, tip kallashnikov, dhe një arme gjahu, të cilat i kishte fshehur në banesë dhe i mbante pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.
Top Channel