Fluks i lartë në kufi, Shqipëria dhe Greqia koordinojnë masat për shmangien e radhëve të gjata

15/08/2026 11:57

Fluksi i lartë i udhëtarëve në pikat kufitare me Greqinë ka sjellë radhë të gjata në disa prej pikave kryesore të kalimit, ndërsa autoritetet shqiptare dhe greke kanë koordinuar masat për menaxhimin e situatës dhe përshpejtimin e procedurave kufitare.

Në 24 orët e fundit, në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës kanë hyrë dhe dalë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Sipas burimeve nga pika kufitare, fluksi është më i lartë në hyrje të Shqipërisë.

Ndërkohë, në Kakavijë, vetëm gjatë datës 14 gusht, janë përpunuar 11,755 shtetas në hyrje-dalje. Prej tyre, 7,618 kanë hyrë në Shqipëri dhe 4,137 kanë dalë nga vendi. Në të njëjtën pikë kufitare janë përpunuar edhe 3,459 automjete, nga të cilat 2,259 në hyrje dhe 1,200 në dalje.

Rritja e lëvizjeve lidhet kryesisht me sezonin veror, me turistë dhe pushues që udhëtojnë drejt Greqisë ose kthehen në Shqipëri.

Për menaxhimin e situatës, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj, së bashku me drejtues të Policisë Kufitare në Gjirokastër dhe Kakavijë, zhvilloi një takim me homologët e Policisë greke në ambientet e Qendrës së Përbashkët të Kontaktit për Bashkëpunimin Policor dhe Doganor në Kakavijë.

Në takim morën pjesë drejtues të pikës kufitare të Kakavijës dhe të Drejtorisë së Kufirit në Janinë, ndërsa në mënyrë online u përfshi edhe drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Kufirit në Policinë greke, Andreas Karageorgos, i cili ndodhej i angazhuar në një situatë emergjente në një zonë tjetër të Greqisë.

Sipas Policisë së Shtetit, në takim u diskutua menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, si dhe forcimi i bashkëpunimit për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Palët janë dakordësuar për intensifikimin e masave të përbashkëta në pikat e kalimit kufitar, me synim reduktimin e radhëve dhe përshpejtimin e kontrolleve.

Në Qafë Botë, pala shqiptare po punon me katër sportele, ndërsa pala greke me dy sportele. Edhe në këtë pikë kufitare janë krijuar radhë automjetesh në të dyja anët, për shkak të fluksit të shtuar të udhëtarëve.

Autoritetet kufitare kanë bërë të ditur se do të vijojnë koordinimin e masave gjatë ditëve me fluks të lartë, ndërsa qytetarëve që udhëtojnë drejt ose nga Greqia u kërkohet të llogarisin kohë shtesë për kalimin e kufirit.

Top Channel