“Vetëvendosja e sheh si një figurë të parëndësishme”/ Osmani “sulmon” Kurtin: Ai do president që s’mban qëndrime Presidenca e Kosovës e konfirmoi ftesën e dërguar nga ushtruesja e detyrës së kryetares së shtetit, Albulena Haxhiu drejtuar liderëve të partive politike ose përfaqësuesve të tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
Qëllimi i takimit është vendosja e fokusit tek zhvillimet lidhura me procesin e zgjedhjes së presidentit. Por kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini e refuzoi ftesën.
Në përgjigjen e tij drejtuar Haxhiut, Gjini ka argumentuar se ajo, si ushtruese e detyrës së presidentes, nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik dhe se akuzoi se së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk po kërkojnë vërtet gjetjen e një zgjidhjeje për krizën institucionale, por identifikimin e fajtorëve për një vendim që, sipas tij, tashmë është marrë.
“Ju e Kurti jeni tepër transparente se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj është më shumë se kaq.
Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, tha Gjini.
Gjashtë kërkesat e Aleancës janë që institucionet e reja të pranojnë projektin e gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr, të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, të lirojnë tokat e punuara nga tatimi në pronë, të buxhetojnë plotësisht rrugët për Gjilanin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Podujevën, si dhe të ndajnë 800 milionë deri në një miliard euro për investime infrastrukturore në Prishtinë.
Top Channel