Albin Kurti jep sinjale se kërkon arritjen e një marrëveshjeje dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, e për këtë arsye u shpreh publikisht se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet edhe për emrat konkretë të kandidatëve për presidentin e ardhshëm.

“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje. Presidenti i ardhshëm duhet të jetë “konsensual”, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në mesin e qytetarëve. U kam shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke u kërkuar takim për të diskutuar për presidentin. Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha Albin Kurti.

Ai vlerësoi se në Kosovë ka “me dhjetëra” personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë persona që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, që mund të konsiderohen për këtë post.

Deklaratat e Kurtit erdhën një ditë pasi LDK-ja njoftoi se tërhiqet nga negociatat për poste me LVV-në dhe se nuk kërkon asnjë pozitë institucionale, por do të votojë për një figurë jopartiake për president.

Top Channel