Raportohet për 13 vatra zjarri gjatë ditës së sotme/ 10 vijojnë të mbeten ende aktive, situata më e vështirë në Lurë dhe Dajt Flakët që kanë përfshirë rrethinat e kryeqytetit, kanë bërë që Bashkia e Tiranës të kuptojë për nevojën e makinave për zjarre në pyje.
Këtë të premte, njësia e qeverisjes vendore të kryeqytetit ka hapur tenderin për blerjen e një automjeti zjarrfikës për të gjitha terrenet. Ky prokurim llogaritet mbi kufirin e lartë monetar me fond limit deri në 29 milion lek, ose sipas kursit zyrtar të Bankës në vlerë 312 mijë euro, që do të mbulohet si financim nga buxheti i bashkisë së Tiranës për vitin 2026.
Një muaj kohë është afati i dorëzimit të dokumentacioneve, ku në thirrje parashikohen specifikime teknike. Kërkesa e parë është që mjeti detyrimisht duhet të jetë i ri , i papërdorur dhe të jetë prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Europian. Modeli i automjetit duhet të jetë me ngjyrë të kuqe, i pajisur me fenelina dhe numri i vendeve jo më pak se 6.
Parashikohet gjithashtu që të ketë depozitën e ujit me minimumi 4000 litra dhe pompë të presionit të lartë. Ndër të tjera kërkohet litar shpëtimi 30 metra i gjatë dhe set ndihme të parë. Pajisja e shpëtimit duhet të jetë e kombinuar elektro hidraulike. Garancia për automjetin do të jetë 3 vjet ose 100.000 km, ku do të përfshihen edhe të gjitha shërbimet periodike.
Edhe kriteret ekonomike për kompanitë do të ndikojnë në përzgjedhjen e fituesit. Ku përvecse kërkohet që mundësi për tu kualifikuar ka oferta me vlerën më të ulët, operatori duhet të ketë eksperiencë në kontrata të ngjashme dhe të paraqesë qëndrueshmëri financiare me dorëzimin e bilanceve financiare të 3 viteve të fundit dhe me të punësuar të paktën 50 punonjës.
Operatorët ekonomik pjesëmarrës duhet te kenë të punësuar staf inxhinierik, si inxhinier mekanik, xhenerik apo elektro auto. Gjithashtu tenderi specifikon që kompania të ketë një servis në pronësi ose me qera, jo më të vogël se 500 m² brenda territorit të Bashkisë Tiranë.
Top Channel