PDK dhe Aleanca kanë mbërritur në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pavarësisht kërkesës së këtyre partive, nuk e ka thirrur seancën konstituive.
Siç raporton korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, partitë opozitare dje dorëzuan me shkrim kërkesën që seanca konstituive të vazhdojë sot në orën 11:00.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha para deputetëve opozitarë se, sipas tij, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Avni Dehari kanë shkelur afatin kushtetues.
“Qytetarë të dashur, jemi sot këtu së bashku me deputetët tanë dhe Aleancën, sepse Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta bëjnë kurrë. Qëllimisht kanë shkelur afatin kushtetues. Jo një afat të vendosur nga opozita, por nga Gjykata Kushtetuese. Sot nuk jemi vetëm në krizë politike, por edhe kushtetuese”, tha Hamza para deputetëve opozitarë.
“Kjo nuk është normale dhe nuk do të lejojmë të bëhet normale. Shteti nuk është Albin Kurti, shteti është Kushtetuta”, shtoi tutje Hamza në sallën e seancave të Kuvendit.
Kreu i PDK-së i bëri thirrje Vetëvendosjes që të marrë pjesë në konstituimin e Kuvendit.
“Ju ftojmë, hajdeni, konstituoni Kuvendin”, u bëri thirrje Hamza Vetëvendosjes.
Top Channel