Dështuan të monitoronin Parkun Kombëtar dhe u dogj sipërfaqe e madhe pyjesh në Lurë, procedohen penalisht shefi i monitorimit dhe dy roje

14/08/2026 10:36

Tre punonjës janë proceduar penalisht në Dibër në lidhje me zjarrin që përfshiu Parkun Kombëtar të Lurës.

Bëhet fjalë për shefin e monitorimit të parkut dhe dy roje mjedisi, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë marrë masat e nevojshme për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e territorit nga zjarri. Si pasojë, sipas Policisë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

“Lurë, Dibër/Vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e ngarkuar me përgjegjësi në lidhje me zjarrin në parkun kombëtar të Lurës.

Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, shefi i monitorimit të parkut dhe 2 roje mjedisi.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për dokumentimin e rrethanave të zjarrit në parkun kombëtar të Lurës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi, nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre. Si pasojë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.

Top Channel