Zgjerimi i autostradës/ ARRSH njofton bllokimin e dy korsive Tiranë-Durrës, ja kur do të devijohet trafiku
Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të refuzimit të vizave britanike krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor.
Një studim i udhëhequr nga Uran Ferizi ambasador i Shqipërisë në Londër, bazuar në të dhënat ë Home Office tregon gjatë periudhës 2018–2025, më shumë se 70,000 aplikime për viza nga shtetas shqiptarë u refuzuan, ndërsa norma e miratimit për Shqipërinë mbeti dukshëm nën mesataren rajonale.
Ky grafik tregon se niveli dhënies së vizave për shtetasit nga Serbia ishte 94.7%, ata nga Mali i Zi 92.9%, nga Bosnje Hervegovina 93.0%, nga Maqedonia e Veriut 91.5%, Kosova 74.4% dhe Shqipëria në vend të fundit me një miratim vizash prej 65.5%.

Sipas këtij studimi “qasja e kufizuar në rrugët e ligjshme, kostot më të larta të aplikimit dhe perceptimi se rrugët e rregullta ishin praktikisht të mbyllura mund të kenë qenë pjesë e mjedisit më të gjerë në të cilin disa migrantë potencialë iu drejtuan rrugëve të parregullta”, raporton gazetari i Top Channel Muhamed Veliu.
Studimi përfshin edhe aspektet e emigracionit ilegal të shqiptarëve drejt shtetit ishull. Rritja e migrimit shqiptar në vitin 2022 ishte reale, por jetëshkurtër thuhet në studim.
Mbërritjet e shqiptarëve me varka të vogla dhe kërkesat për azil u rritën jashtëzakonisht shumë në vitin 2022, por më pas ranë me shpejtësi.
Deri në vitin 2025, kërkesat shqiptare për azil ishin rikthyer pranë niveleve të para pandemisë dhe Shqipëria nuk ishte më ndër kombësitë kryesore që kalonin Kanalin Anglez.
Duke komentuar këtë studim për gazetën The Guardian ambasadori Uran Ferizi deklaroi se “numri i shqiptarëve që udhëtuan drejt Britanisë me varka të vogla katër vite më parë mbetet në qendër të kritikave “të pabazuara” dhe “histerike” nga politikanët e krahut të djathtë dhe media, sipas ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Ai i bëri thirrje partisë së Nigel Farage që të ndalojë “etiketimin e shqiptarëve” dhe tha se politika britanike e vizave në atë kohë, e cila miratonte një përqindje më të ulët vizash për shqiptarët sesa për njerëzit nga vendet e tjera të Ballkanit, mund të ketë shtyrë disa shqiptarë vulnerabël drejt trafikantëve.
“Një pakicë e zhurmshme në politikën dhe median britanike e ka mbajtur gjallë krizën e migracionit shqiptar shumë kohë pasi ajo përfundoi në të dhënat,” shtoi ai.
“Partisë Reform UK do t’i bënte më shumë shërbim Britanisë duke u marrë me papunësinë e të rinjve dhe mirëqenien sociale, sesa duke u marrë me ‘etiketimin e shqiptarëve’.” ka deklaruar për The Guardian ambasadori Uran Ferizi.
Top Channel