Zjarr i madh në Halkidiki të Greqisë, autoritetet evakuojnë me urgjencë banorët dhe mijëra pushues, era e fortë përkeqëson situatën
Një shpërthim pranë portit të Roterdamit, në Holandë, ka shkaktuar një viktimë dhe gjashtë të plagosur këtë të enjte.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka të dhëna që ngjarja të jetë shkaktuar nga sabotimi. Megjithatë, të gjitha skenarët po shqyrtohen.
Një zëdhënës i kompanisë së madhe të tregtimit të produkteve energjetike, Gunvor, tha se incidenti ndodhi gjatë punimeve të mirëmbajtjes në një prej rezervuarëve të magazinimit të kompanisë. Gunvor ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet lokale.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites, sipas kohës lokale.
Porti i Roterdamit është më i madhi në Evropë dhe një prej qendrave kryesore për importin dhe magazinimin e naftës bruto dhe karburanteve.
Në këtë zonë ndodhet edhe rafineria më e madhe e naftës në Evropë, impianti i Shell në Pernis, me kapacitet rreth 404 mijë fuçi në ditë, si dhe rafineri të kompanive BP, ExxonMobil dhe Vitol.
Kompania Shell njoftoi se operacionet e saj në port nuk u prekën nga shpërthimi.
Edhe terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nuk u prekën, sipas autoriteteve të portit. Të dhënat e ENTSOG treguan një rënie të përkohshme të furnizimit me gaz nga terminali Gate LNG në Roterdam, e ndjekur nga luhatje të flukseve.
Një ndërprerje e zgjatur e aktiviteteve do të ndiqej me vëmendje nga tregjet, pasi terminali Gate është një prej qendrave kryesore të importit të LNG-së në Evropën veriperëndimore. Ndërkohë, rezervat e gazit në Holandë janë aktualisht rreth 40% të mbushura, sipas të dhënave të Gas Infrastructure Europe, në prag të sezonit të dimrit.
Autoritetet e portit të Roterdamit theksuan se nuk ka lidhje mes shpërthimit dhe ndërprerjes së energjisë, ndërsa gjatë ditës ishin regjistruar disa ndërprerje të energjisë në zona të ndryshme të portit.
Top Channel