Policia Rrugore intensifikon kontrollet në Gjirokastër, mbi 1900 masa administrative në 10 ditë

13/08/2026 09:25

Policia Rrugore e Gjirokastrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Monitorimi po kryhet me dronë, radarë dhe makina inteligjente, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Njoftimi:

Policia Rrugore e Gjirokastrës/Monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror.

Ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Gjirokastrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara dhe kalojnë limitin e shpejtësisë, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.

Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 01- 10.08.2026, janë proceduar penalisht 6 drejtues mjetesh, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe është pezulluar 1 leje drejtimi.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1903 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

603 masa për parakalime të gabuara;
693 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
409 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
10 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
7 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
3 masa për përdorim e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
2 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
176 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Top Channel