Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë dalë në një konferencë për media para godinës të Qeverisë, ku i kanë bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, që të shkojë në Kuvend dhe të mundësojë konstituimin e legjislativit.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se qëllimi i kësaj paraqitjeje është kërkesa për respektimin e ligjit, Kushtetutës dhe demokracisë në vend.
Çitaku akuzoi Kurtin se po e përdor në mënyrë të gabuar besimin e qytetarëve dhe tha se vendi duhet të ketë institucione të konstituuara dhe funksionale. “Kjo ndërtesë është Qeveria e Kosovës. Nuk ka privilegj dhe nder më të madh sesa t’i shërbesh shtetit tënd, por nuk ka krim më të madh sesa kur besimi qytetar keqpërdoret dhe zyrat e popullit uzurpohen”, deklaroi Çitaku.
Ajo tha se Kurti duhet të jetë në Kuvend për të marrë pjesë në konstituimin e institucioneve. “Eja në Kuvend, shumicën e ke, ndërtoje qeverinë dhe ecim tutje”, tha Çitaku.
Sipas saj, Qeveria Kurti ka marrë vendime mbrëmjen e kaluar pa mbikëqyrje parlamentare. “Me çfarë mandati marrin vendime? Jemi këtu për t’i thënë Albin Kurtit: eja në Kuvend, aty e ke vendin. T’i ndërtojmë institucionet dhe pastaj ecim tutje”, u shpreh ajo.
Deputetët e PDK-së vijojnë të qëndrojnë para hyrjes së godinës së Qeverisë.
Top Channel