“Do t’u dërgojmë peticion ambasadave për monitorimin e protestave”/ Thirrje në protestën e 75-të. Nesër pritet diaspora, tubimi mbyllet me marshim

13/08/2026 22:10

Për 75 ditë me radhë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vijon thirrja për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike.

Protesta e 75 e bulevardit përsëriti kërkesën për qeveri teknike, duke ritheksuar se nuk do të largohen nga sheshi.

Nga bulevardi u njoftua se të premten në protestë do të bashkohet edhe diaspora. ndër të tjera një protestues njoftoi nisjen e një peticioni drejtuar ambasadave të huaja për të monitoruar sjelljen e policisë ndaj protestuesve.

“Do t’u dërgojmë një peticion ambasadave për të monitoruar procesin e protestës dhe mënyrën si policia ka reaguar në mënyrë jo proporcionale ndaj protestuesve. Kushdo ka dëshirë, të vijë të firmosë peticionin. Gjithashtu, grupi koordinator ka krijuar faqen shqiperianukshitet.com. 

Kemi ardhur për t’i dhënë fund këtij tranzicioni dhe atyre që na kanë shitur. Sot jemi për t’i dhënë një mesazh të qartë: Jemi të vendosur dhe do e çojmë këtë mision deri në fund, deri sa të gjithë ju në pushtet të dorëhiqeni”, tha ai.

Pas fjalimeve te Kryeministria, protestuesit zhvilluan marshimin në rrugët e Tiranës dhe rreth mesnatës mbyllën tubimin me thirrjet kundër politikës.

 

Top Channel