Shkrumbohet banesa në Libohovë, shpëton mrekullish familja. Flakët dyshohet se u shkaktuan nga një sobë gatimi
Shoqatat e transportit publik i kërkojnë qeverisë disbursimin urgjent të kompensimit të karburantit për muajt mars, prill dhe maj. Operatorët paralajmërojnë se mungesa e likuiditetit mund t’i detyrojë të reduktojnë numrin e autobusëve dhe frekuencën e shërbimit.
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar me një kërkesë urgjente Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe ministrive përgjegjëse.
Në shkresën e datës 11 gusht, shoqatat kërkojnë disbursimin e kompensimit prej 50 lekësh për çdo litër karburant të konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 13 maj.
Sipas tyre, operatorët kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar dhe kanë përmbushur procedurat, por pagesat ende nuk janë kryer. Shoqatat thonë se kjo vonesë po shkakton vështirësi financiare, ndërsa kompanitë kanë vazhduar ta mbulojnë me fondet e tyre koston e shërbimit.
Operatorët kërkojnë gjithashtu informacion zyrtar për fazën në të cilën ndodhet procesi, arsyet e vonesës dhe afatin konkret të pagesave. Ata kërkojnë që skema e mbështetjes të vijojë edhe pas muajit maj, pasi çmimet e karburantit mbeten të larta.
Në kërkesë paralajmërohet se, nëse institucionet nuk reagojnë, operatorët mund të detyrohen të rishikojnë numrin e mjeteve në qarkullim dhe kapacitetet e shërbimit. Një masë e tillë do të ndikonte drejtpërdrejt në frekuencën e autobusëve dhe shërbimin për qytetarët.
Top Channel