Zjarri në kurorën e gjelbër të Pukës shuhet pas disa orësh, situata kthehet në normalitet
Një vatër zjarri ka përfshirë mëngjesin e kësaj të marte një pjesë të sipërfaqes së pyllëzuar pranë qytetit të Pukës, duke rrezikuar kurorën e gjelbër që shtrihet në qindra hektarë rreth qytetit.
Për përballimin e situatës është angazhuar shërbimi zjarrfikës i Pukës, ndërsa në operacionin për shuarjen e flakëve kanë ndihmuar edhe banorë të lagjes Laçaj.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Për këtë arsye, Policia ka ngritur një grup hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të verifikuar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Bëhet fjalë për një ngjarje të pazakontë, pasi prej shumë vitesh kjo hapësirë e gjelbër, e shtrirë në qindra hektarë rreth qytetit të Pukës, nuk ishte përballur me një zjarr të përmasave të tilla.
Top Channel