Lëvizja Vetëvendosje konsideron se nuk është shkelje e Kushtetutës thirrja e seancës pas afatit 30 ditor të përcaktuar me aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese.
Nënkryetari i partisë fituese të zgjedhjeve, Glauk Konjufca të hënën tha se ka disa interpretime mbi konstituimin e kuvendit.
“Ne nuk mendojmë se është shkelë kushtetuta… Diskutimi ka të bëjë lidhur me ditën e mbajtjes së seancës dhe a e përbën një entitet të vetëm dhe a duhet të kryhet brenda 24 orëve mbajtja e seancës apo jo. Sipas disa interpretimeve, mund të zgjasë edhe më shumë se 24 orë”, deklaroi Glauk Konjufca.
Konjufca shtoi se as zgjedhjet e reja nuk janë më të dëmshme se aksioni i deputetes së Aleancës, Time Kadrirjaj, e cila e gjuajti me vezë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, në vazhdimin e seancës konstituive, pasi ky i fundit kërkoi më shumë kohë shtesë për propozimin e kryetarit të kuvendit.
“Kurrë nuk duhet të lodhemi nga dialogu politik. Do të vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e institucioneve tona. Edhe PDK-së, edhe LDK-së, edhe AAK-së do tu drejtohet z. Kurti”, shtoi ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Nënkryetari i Vetëvendosjes deklaroi se do të vazhdojnë përpjekjet për takime me partitë e tjera në drejtim të formimit të institucioneve.
“Çdo dëm që po e konsideroni se mund të bëhet, është më i vogël se ajo çka pamë në seancë, se ajo çka pamë në seancë herën e fundit, dhuna që u ushtrua ndaj kryeministrit dhe deputetëve tonë. Ishte keq edhe atëherë… Është më pak dëm se me shku në zgjedhje të reja, të dyja këto dëme janë më të mëdha”, theksoi ai.
Mesnatën e 7 gushtit ka përfunduar afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit. Vazhdimi i seancës konstituive u bë më 8 gusht jashtë afatit, edhe kjo seancë është ndërprerë nga kryesuesi Avni Dehari i cili ka thënë se për vazhdimin e radhës do të ketë njoftim.
Top Channel