“Absurde”, “kërcënuese” dhe një qasje e qartë “shoviniste”: Kështu e përshkroi ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, idenë e përmendur sërish nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Teksa iu drejtua Konferencës së Ambasadorëve të Kosovës, ajo kërkoi që deklaratat e Vuçiçit të mos i lënë indiferentë partnerët ndërkombëtarë, duke paralajmëruar për pasojat që një ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit do të mund të kishte për Kosovën.
“Siç e dini, (kanali i ujitjes) Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, u shpreh Haxhiu.
Reagimi i Haxhiut erdhi një ditë pasi Vuçiç u shpreh se Beogradi ka nisur tashmë të hedhë hapa konkretë drejt zbatimit të kësaj ideje, duke e bërë të qartë se tashmë kanë ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë, ndërsa këmbënguli se “nuk po kërcënon askënd, por se po merret me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë”.
Top Channel