FSB-ja fiton pushtet të paparë në Rusi, gazetari Andrei Soldatov: Putini gjithnjë e më i varur nga shërbimet sekrete
Një grua dhe foshnja e saj 5-muajshe humbën jetën pasi një varkë me 14 persona u përmbys të shtunën në mbrëmje pranë Statujës së Lirisë në Nju Jork.
Ngjarja shkaktoi një operacion të madh kërkim-shpëtimi në ujërat e ngarkuara të portit të Nju Jorkut.
Kapiteni i varkës, Manuel Hernandez, 46 vjeç, u arrestua në orët e para të së dielës. Sipas Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ai akuzohet për 13 raste të rrezikimit të pakujdesshëm të personave.
Roja Bregdetare amerikane ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e përmbysjes dhe nëse varka po operonte në mënyrë të paligjshme si një mjet charter pa autorizimet e nevojshme, shkruan CNN.
Sipas autoriteteve, një charter i paligjshëm për pasagjerë me pagesë nuk disponon certifikatat e kërkuara nga Roja Bregdetare, pajisjet e nevojshme të sigurisë dhe certifikatën e inspektimit.
“Jemi të përkushtuar që operatorët e paligjshëm të mbahen përgjegjës në masën më të plotë të ligjit, për të garantuar sigurinë e të gjithëve në ujërat tona”, deklaroi kapitenia Doreen McCarthy, komandante e Sektorit të Nju Jorkut të Rojes Bregdetare.
Sipas policisë, 12 nga 14 personat në bord ishin nxjerrë nga uji përpara mbërritjes së policisë.
Njëmbëdhjetë prej tyre u shpëtuan nga kapiteni dhe ekuipazhi i një varke që mbërriti e para në vendngjarje. Bëhej fjalë për një varkë turistike të pazakontë, të pajisur me dy vaska të mëdha hidromasazhi, që përdoret për ture në portin e Nju Jorkut.
Pas mbërritjes së ekipeve të emergjencës, ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën në ujë Sara Sanchez, 27 vjeçe, dhe vajzën e saj 5-muajshe, Antonella Garcia, të dyja nga Queens.
Nëna dhe foshnja u transportuan në gjendje kritike në spitalin NYU Langone Hospital-Brooklyn, por më vonë u shpallën të vdekura.
Babai i foshnjës ndodhej gjithashtu në varkë dhe është mes personave që i mbijetuan tragjedisë. Të mbijetuarit e tjerë raportohet se janë në gjendje të qëndrueshme.
Policia tha se mori një telefonatë në numrin e emergjencës 911 rreth orës 22:25 të së shtunës, ku raportohej për një varkë të përmbysur pranë Liberty Island, ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Varka ndodhej në lumin Hudson, pranë pikës së shënjuar si Buoy 32, mes Statujës së Lirisë dhe Bay Ridge Anchorage.
Në operacion morën pjesë ekipe ajrore dhe ujore të Rojës Bregdetare, Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut dhe NYPD-së.
Në vendngjarje u angazhuan gjithashtu njësia detare e policisë, ekipet e zhytësve dhe njësia e aviacionit, të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Ende nuk është bërë e qartë se çfarë lloj varke ishte përfshirë në aksident. Megjithatë, një burim i zbatimit të ligjit i informuar për hetimin i tha CNN se hetuesit besojnë se varka mund të ketë qenë mbi kapacitetin e lejuar.
Një raportim i filialit të CNN, WABC, bëri të ditur se varka ishte një bowrider rreth 22 këmbë e gjatë, një lloj i zakonshëm i mjeteve motorike rekreative.
Hetimi pritet të përcaktojë nëse kapaciteti i varkës, kushtet e operimit apo faktorë të tjerë kanë kontribuar në përmbysjen tragjike.
Zona pranë Liberty Island është ndër pjesët më të frekuentuara të portit të Nju Jorkut, ku lëvizin çdo ditë mjete tregtare, varka turistike dhe mjete rekreative.
Top Channel