Rëndohet bilanci i viktimave nga sulmi me dron ukrainas në Tatarstanin rus, të paktën 13 të vdekur dhe 75 persona të plagosur

10/08/2026 16:32

Të paktën 13 persona janë vrarë dhe 75 të tjerë janë plagosur në një sulm me dron ukrainas në republikën ruse të Tatarstanit, sipas autoriteteve të Rusisë, teksa mes viktimave raportohet edhe një fëmijë.

Sulmi, një nga më vdekjeprurësit ndaj territorit rus që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska, goditi qytetin e Nizhnekamskut, rreth 1,100 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Forcat e Armatosura të Ukrainës konfirmuan se një rafineri nafte në Nizhnekamsk ishte goditur. Prodhuesi ukrainas i teknologjisë së mbrojtjes FirePoint deklaroi se në sulm u përdorën dronët e tipit FP-1.

Sulmi zgjati për disa orë gjatë natës dhe deri në orët e mëngjesit, sipas burimeve lokale. Objektet e industrisë së naftës në Nizhnekamsk ishin goditur edhe më 12 qershor.

Pamjet e verifikuara të publikuara në rrjetet sociale tregojnë re të mëdha tymi dhe flakë që ngrihen mbi qytet, ndërsa në sfond dëgjohen sirenat e alarmit ajror.

Moska konfirmoi se objektet industriale ishin ndër objektivat e sulmit, por tha se u prekën edhe zona të tjera.

Komiteti Hetimor i Rusisë deklaroi se në mesin e personave të prekur kishte civilë që nuk ishin të përfshirë në operacione ushtarake. Ky informacion nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga BBC.

Kreu i Tatarstanit, Rustam Minnikhanov, konfirmoi sulmin dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. Ndërkohë, kryebashkiaku i Nizhnekamskut, Radmir Belayev, e cilësoi ngjarjen si një “dhimbje të madhe” për komunitetin.

Top Channel