Evropa Perëndimore përvëlohet, thatësira ul prurjet e lumenjve dhe krijon terren për përhapjen e zjarreve

10/08/2026 12:46

Evropa Perëndimore regjistroi periudhën më të nxehtë qershor-korrik, ndërsa ndryshimet klimatike po nxisin një verë me temperatura ekstreme, thatësirë dhe zjarre.

Sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike “Copernicus”, temperatura mesatare në rajon gjatë dy muajve të parë të verës arriti në 21.62 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e vitit 2022. Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë. Qershori dhe korriku u karakterizuan nga valë të njëpasnjëshme të të nxehtit dhe mungesë e theksuar reshjesh.

Lagështia e tokës ishte ndjeshëm më e ulët se në korrik të vitit 2022, kur rajoni përjetoi thatësirën e fundit të rëndë. Kushtet më të thata u regjistruan në Francë, Spanjë, Austri, Hungari, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe në një pjesë të Islandës. Prurjet e Senës, Rinit dhe Danubit ranë në nivele jashtëzakonisht të ulëta, duke ndikuar transportin ujor, ujitjen dhe prodhimin e energjisë. Nxehtësia dhe thatësira krijuan kushte të favorshme edhe për përhapjen e zjarreve.

Franca dhe Spanja u përballën me disa nga vatrat më të rënda të dekadave të fundit, ndërsa zjarre të mëdha u regjistruan edhe në vende të tjera evropiane, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Edhe temperatura mesatare e oqeaneve arriti nivele rekord për të dytin muaj radhazi. Në korrik, ajo ishte 20.96 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e vitit 2023. Ngrohja u nxit nga valët detare të të nxehtit dhe zhvillimi i fenomenit të fuqishëm “El Niño” në Paqësor.

Në nivel global, korriku ishte muaji i dytë më i nxehtë i regjistruar, me temperaturën mesatare 1.47 gradë mbi nivelin paraindustrial. Shkencëtarët paralajmërojnë se një rekord i ri global mund të vendoset në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2027.

Top Channel