Kapet në Palasë i shumëkërkuari nga SPAK, akuzohet për pastrim parash në kuadër të grupit kriminal

09/08/2026 08:24

Një 50-vjeçar i shpallur në kërkim nga SPAK për veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal është arrestuar në Palasë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vila”.

I dyshuari u lokalizua dhe u kap në një vilë nga Forcat Operacionale të Vlorës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë.

Njoftimi i Policise

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vila”.

Kapet një shtetas i shumëkërkuar për veprimtari kriminale të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të kryera nga strukturat operacionale të DVP Vlorë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni, në një vilë në Palasë, shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin e shumëkërkuar R. N., 50 vjeç, lindur në Fier.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në korrik të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:

– “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
– “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Top Channel