I kërkoi paratë bashkëshortes dhe goditi me grusht djalin e tij, arrestohet në Itali 43-vjeçari shqiptar

09/08/2026 18:18

Një 43-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Rimini të Italisë, është arrestuar nga karabinierët, pasi akuzohet për dhunë në familje dhe kërcënime ndaj bashkëshortes e djalit të tij 22-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur më 5 gusht në një hotel në Viserbella, ku policia është thirrur me urgjencë nga djali gjatë një konflikti me të atin.

Sipas mediave italiane, 43-vjeçari, i cili ndodhej në gjendje të dehur, i kërkonte bashkëshortes para për punën që ajo kishte kryer si pastruese shtëpie.

Situata është përshkallëzuar kur burri ka tentuar të hidhte një biçikletë në drejtim të makinës së një klienti. Më pas, ai ka goditur me grusht në fytyrë djalin e tij, i cili kishte ndërhyrë për të mbrojtur nënën.

Për të ndaluar të atin, 22-vjeçari e ka rrëzuar dhe mbajtur në tokë deri në mbërritjen e forcave të rendit.

Sipas mediave, dhuna e tij në shtëpi kishte nisur 6 vite më parë, ku në një prej rasteve, 43-vjeçari, në gjendje të dehur, kishte hyrë në dhomën ku ndodheshin fëmijët duke mbajtur një rrip në dorë.

Kur nëna kishte tentuar t’i mbronte ata, burri e kishte shtyrë, duke bërë që ajo të përplaste kokën me dërrasën anësore të murit. Para se gruaja të dërgohej në spital, ai kishte goditur edhe djalin e madh.

Në urgjencë, gruaja ishte detyruar të mos tregonte të vërtetën dhe kishte deklaruar se ishte rrëzuar aksidentalisht.

Pas arrestimit, prokurori ka kërkuar vleftësimin e masës së arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke argumentuar se ekziston rreziku që i dyshuari të përsërisë veprat.

Top Channel