U ekstradua nga Kolumbia në Shqipëri dy ditë më parë, GJKKO lë në burg ‘kimistin’ e drogës në Frakull

08/08/2026 09:30

Gjykata e Posaçme la nën arrest në burg kolumbianin Saimir Rosales Rodriges, i cili është dënuar në mungesë me 14 vite burgim si person i bashkëlidhur me 10 të pandehur të tjerë, të implikuar në kokainën e Frakullës.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, kolumbiani kishte rolin e kimistit në laboratorin që do të ngrihej në Frakull të Fierit dhe dosja hetimore e prokurorit të SPAK, Adnan Xholi, tregon se si eksperti i kokainës udhëtoi nga Kolumbia drejt Greqisë e më pas në Malin e Zi dhe Shqipëri.

Detyra e tij, sipas SPAK, ishte jo vetëm të shoqëronte ngarkesën e dërguar nga Amerika Latine, por edhe të ekstraktonte kokainën që ishte përzier me plehun organik, që dyshohet se ishte në një sasi prej 480 kilogramësh.

Ngarkesa hyri në Shqipëri në shtator 2022 dhe u transportua drejt Frakullës së Madhe, ku do të ndodhte procesi në një laborator. Prokurori i çështjes, Adnan Xholi, gjatë gjykimit në mungesë të kolumbianit, i cili ia doli mbanë të arratisej për disa vite, deklaroi në atë kohë se kishte të dokumentuar momentin kur Rodriges mori një kampion nga ngarkesa, duke konfirmuar praninë e kokainës në thasët me pleh.

Për këtë çështje, bazuar në hetimet e SPAK, gjykata ka dënuar edhe dhjetë shtetas të tjerë, ndërsa një fraksion i hapur ende, siç mëson ekskluzivisht TCH, vazhdon nën hetim, bazuar edhe në statusin e njërit prej të pandehurve që po rrëfen emra bashkëpunëtorësh të tjerë.

Top Channel