Tarifë mjekësore për të huajt/ Pesë qendra punojnë 24 orë në Durrës, mbi 4.500 pushues marrin ndihmë në bregdet

08/08/2026 12:30

Në kulmin e sezonit turistik, 5 qendrat shëndetësore verore përgjatë bregdetit të Durrësit vijojnë të ofrojnë shërbim 24 orë për pushuesit vendas dhe të huaj.

Temperaturat e larta dhe fluksi i pushuesve kanë rritur rastet për ndihmë mjekësore.

Për herë të parë, këtë sezon turistik, shtetasit e huaj që marrin shërbime mjekësore në këto qendra duhet të paguajnë një tarifë me kartë, e cila përcaktohet në varësi të shërbimit të ofruar.

Gjatë muajve qershor dhe korrik, në këto qendra janë paraqitur mbi 4500 persona, ndërsa rastet që kanë kërkuar trajtim më të specializuar janë referuar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Në shërbim të pushuesve janë angazhuar 14 mjekë dhe 20 infermierë në pesë qendrat verore në Currila, Plazh, Shkëmbin e Kavajës, Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit.

Mjekët këshillojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve të nxehta, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duke shmangur ekspozimin e zgjatur në diell.

Top Channel