Përshkallëzohet përplasja Spanjë-Itali për emigrantët, Madridi vendos kontrolle kufitare

08/08/2026 16:38

Përplasja mes Spanjës dhe Italisë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve po përshkallëzohet, me Madridin që ka vendosur kontrolle kufitare për udhëtimet ajrore dhe detare që mbërrijnë nga Italia.

Masat, të cilat hynë në fuqi në mesnatë, do të jenë aktive për një muaj, deri më 7 shtator, dhe parashikojnë kontrolle të pasaportave, shtetësisë dhe vizave për pasagjerët që mbërrijnë nga Italia.

Vendimi i Spanjës vjen një javë pasi Italia vendosi kontrolle të ngjashme ndaj personave që mbërrijnë nga Spanja, pas fluksit të jashtëzakonshëm të emigrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës.

Roma ka deklaruar se kontrollet do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 15 gusht, duke argumentuar se ekziston rreziku që një pjesë e emigrantëve të përpiqen të udhëtojnë drejt Italisë. Madridi e ka kundërshtuar këtë argument, duke e cilësuar si të pabazuar në fakte.

Qeveria italiane ka refuzuar gjithashtu kërkesën e Spanjës për heqjen e kontrolleve, duke deklaruar se nuk pranon “ultimatume” dhe se masat do të vijojnë për sa kohë të ekzistojnë shqetësimet për sigurinë.

Kriza ka vënë përballë kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në një tjetër përplasje brenda Bashkimit Evropian mbi politikat e migracionit.

Në qendër të konfliktit është situata në Ceuta, ku javën e kaluar dhjetëra mijëra emigrantë u përpoqën të hynin nga Maroku. Shumica e tyre u kthyen në ditët pasuese, ndërsa raportohet se rreth 100 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të kaluar.

Rreth 1,400 të mitur ndodhen ende në Ceuta, disa prej tyre në moshë shumë të vogël.

Ndërkohë, autoritetet spanjolle po monitorojnë thirrjet në rrjetet sociale për një tjetër kalim masiv të emigrantëve në mesin e gushtit. Spanja nuk ka konfirmuar se pret një tjetër valë migratore, ndërsa zyra e kryeministrit Sanchez ka deklaruar se situata po monitorohet dhe se nuk pritet përsëritja e skenave të javës së kaluar.

Përshkallëzimi i fundit rikthen në qendër të vëmendjes tensionet për Ceutën dhe Melillën, dy enklava spanjolle në Afrikën e Veriut që prej vitesh janë burim mosmarrëveshjesh diplomatike mes Madridit dhe Rabatit.

Top Channel