Policia e Krujës ka arrestuar në flagrancë një 73-vjeçar, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në drejtim të malit të Krujës.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 8 gusht në lagjen “Abaze”, Krujë. I arrestuari është shtetasi Q. B., 73 vjeç, banues në këtë zonë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 73-vjeçari ka ndezur zjarr pranë banesës së tij për të djegur një sasi bari. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur drejt malit të Krujës, duke rrezikuar edhe zonat e banuara.
Njoftimi:
Ndezi zjarr për djegien e barit pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në drejtim të malit të Krujës, reagimi në kohë i Policisë çoi në identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në lagjen “Abaze”, Krujë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin Q. B., 73 vjeç, banues në lagjen “Abaze”, Krujë.
Ky shtetas dyshohet se, më datë 08.08.2026, në afërsi të banesës së tij, ka ndezur zjarr për djegien e një sasie bari, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.
Falë angazhimit të forcave në terren, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Top Channel