Fundjavë përvëluese, termometri pritet të shkojë në 41 gradë Celsius/ Parashikimi i motit për javën e ardhshme
Ditët e para të muajit gusht kanë sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve në qytetin bregdetar të Vlorës.
Çdo ditë, rrugët, shëtitorja, plazhet dhe restorantet mbushen plot me vizitorë, kryesisht të huaj, të cilët kanë zgjedhur rivierën shqiptare dhe Vlorën për të kaluar pushimet verore. Një nga destinacionet më të preferuara mbeten ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit.
“Karaburuni është një vend i bukur. Jam këtu për pushime, një pushim normal. Është shumë mirë, shumë bukur. Megjithatë, mendoj se duhen edhe dy ose tre vjet, sepse po ndërtohet kudo. Shpresoj që pas kësaj kohe gjithçka të jetë përfunduar dhe vendi të jetë edhe më i bukur.”, shprehet turistja nga Polonia.
“Jam nga Franca dhe është hera ime e parë këtu. Deri tani, gjithçka ka qenë shumë bukur. Çmimet janë të mira, njerëzit janë shumë mikpritës dhe ushqimi është i shkëlqyer”, shprehet turisti nga Franca.
“Njerëzit janë shumë miqësorë dhe gjithmonë na kanë pritur shumë mirë. Edhe ushqimi është shumë i mirë. Ne e pëlqejmë shumë prodhimet e detit dhe këtu kemi provuar shumë lloje peshku dhe fruta deti, të cilat na kanë pëlqyer shumë. Mendoj se do të kthehemi përsëri këtu, këtë herë me prindërit e mi, pas rreth dy muajsh”, thotë një turist tjetër.
“Jam nga Londra, në Mbretërinë e Bashkuar. Më pëlqen shumë kultura shqiptare. Shkova në Sarandë, ku ujërat janë jashtëzakonisht të bukura, dhe më pëlqeu shumë edhe ky gadishull. Vizituam edhe shpellën. Bëmë një xhiro me skaf dhe gjithashtu provuam edhe jet ski”, shprehet turistja nga Londra.
Ne jemi nga Kanadaja dhe Gjermania. Kemi vetëm tre ditë që kemi ardhur këtu dhe po qëndrojmë në Vlorë. Jemi ndier jashtëzakonisht të mirëpritur nga të gjithë. Të gjithë kanë qenë shumë të sjellshëm dhe, sinqerisht, na pëlqejnë shumë shqiptarët. Është një vend i mrekullueshëm. Sot ishte dita jonë e parë dhe patëm fatin të shihnim një oktapod. Për mua ishte një moment i paharrueshëm, sepse e adhuroj Bregdeti është i mrekullueshëm, uji është tepër i pastër dhe mund të shohësh shumë peshq, por oktapodi ishte padyshim kulmi i ditës sime.
Ky është oktapodi i parë që kam parë ndonjëherë, ndaj kjo ditë është shumë e veçantë për mua. Madje ai lëshoi edhe bojë. Nuk e di nëse ishte mirë apo keq, por për ne ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Madje ai preku edhe dorën e bashkëshortes sime.
Prandaj, ejani këtu, ejani në Vlorë, ejani në Shqipëri. Është një vend fantastik për t’u vizituar.
Gushti është piku i sezonit ne bregdetin e Vlorës, hotelet janë plotë, por edhe plazhet dhe duket se sezoni do zgjasë.
Top Channel