Trump sfidon sërish Kushtetutën amerikane, nënshkruan urdhra të rinj për kufizimin e shtetësisë në lindje

07/08/2026 13:18

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërmarrë një tjetër përpjekje për të kufizuar të drejtën kushtetuese të shtetësisë automatike për personat e lindur në territorin amerikan, vetëm disa javë pasi Gjykata Supreme rrëzoi përpjekjen e tij të parë për ta ndryshuar këtë rregull.

Trump nënshkroi të enjten dy urdhra ekzekutivë që synojnë të zgjerojnë kategoritë e fëmijëve që nuk do të përfitojnë automatikisht shtetësinë amerikane dhe të godasin praktikën e njohur si “birth tourism”, ku persona udhëtojnë në SHBA me qëllimin që fëmija i tyre të lindë atje dhe të marrë shtetësi, shkruan Guardian.

Trump ka kërkuar prej kohësh ndryshimin e parimit të “birthright citizenship”, i cili bazohet në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane dhe garanton shtetësinë për pothuajse të gjithë personat e lindur në territorin e SHBA-së.

Duke komentuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Supreme, Trump e kritikoi atë duke e cilësuar “shumë të pafavorshëm”.

“Do të bëjmë rregullime sepse është shumë e padrejtë”, tha presidenti amerikan para gazetarëve.

Njëri prej urdhrave synon të zgjerojë përkufizimet e rasteve ku fëmijët e lindur në SHBA nuk do të marrin automatikisht shtetësinë.

Sipas administratës Trump, në këto kategori mund të përfshihen fëmijë të prindërve që lidhen me organizata të huaja të konsideruara terroriste, si dhe persona që veprojnë në emër të qeverive të huaja.

Administrata synon gjithashtu të zgjerojë përjashtimet për fëmijët e punonjësve të huaj të qeverive dhe për persona të lindur në territore amerikane ku shtetësia nuk jepet automatikisht sipas ligjit federal.

Një tjetër dispozitë lidhet me rastet kur prindërit kanë përdorur mashtrim për të siguruar shtetësi ose përfitime të tjera ligjore.

Urdhri i dytë fokusohet te fenomeni i quajtur “birth tourism”, ku gra shtatzëna udhëtojnë në SHBA për të lindur fëmijën, i cili më pas fiton shtetësi amerikane.

Trump pretendoi se ky fenomen është përhapur gjerësisht, duke thënë se “qindra mijëra” persona kanë përdorur këtë praktikë, megjithëse nuk paraqiti prova konkrete.

Sipas Institutit të Politikave të Migracionit, vlerësimet më të larta e vendosin numrin e rasteve të “birth tourism” në rreth 22 mijë deri në 26 mijë lindje në vit në territorin amerikan. Të dhënat zyrtare për vitin 2024 tregojnë rreth 9.600 lindje nga nëna me adresa jashtë SHBA-së, më pak se 1% e të gjitha lindjeve vjetore në vend.

Administrata amerikane ka urdhëruar agjencitë federale të godasin operatorët që organizojnë udhëtime të tilla.

Urdhrat e rinj pritet të përfundojnë sërish në gjykata. Më 30 qershor, Gjykata Supreme amerikane rrëzoi urdhrin e parë të Trumpit që synonte t’u hiqte automatikisht shtetësinë fëmijëve të lindur në SHBA nga prindër pa dokumente ose me viza të përkohshme.

Administrata Trump tani synon të testojë kufijtë e atij vendimi duke ndryshuar kategoritë e personave që, sipas saj, nuk mbulohen nga garancia kushtetuese.

Organizata për të drejtat civile ACLU e ka kundërshtuar menjëherë masën e re, duke e cilësuar një tjetër përpjekje antikushtetuese.

“Gjykata Supreme e ka vendosur tashmë këtë çështje: shtetësia në lindje garantohet nga Kushtetuta. Asnjë urdhër ekzekutiv nuk mund të ndryshojë kuptimin e Kushtetutës”, deklaroi Cody Wofsy nga projekti për të drejtat e emigrantëve në ACLU.

Top Channel