“Ngecin” në portin e Durrësit Rolex-i dhe 351 puro, tentuan t’i fusin në Shqipëri të padeklaruara

07/08/2026 17:25

Një tjetër rast i tentativës për të futur mallra të padeklaruara në vend është goditur në Portin e Durrësit.

Dogana e Durrësit bën me dije se gjatë kontrollit të një automjeti, strukturat e Doganës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, zbuluan mallra që nuk ishin deklaruar sipas procedurave doganore, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.

Pas verifikimeve u sekuestruan dy ora dore me mbishkrimin “ROLEX”, si edhe 351 cigare puro të markave të ndryshme, të ndara në 36 kuti.

Dogana dhe policia po vijojnë procedurat për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin e origjinës së mallrave, ndërsa ndaj personit të përfshirë do të ndiqen procedurat ligjore të parashikuara për mosdeklarimin e mallrave në kufi.

Top Channel